-
Mobilizimi i veprimtarise se komunitetit: per perfshirjen qytetare, kunder varferise PDF Print E-mail

Përpjekjet për një arsim dhe shoqëri gjithëpërfshirëse janë bërë pjesë integrale e programeve dhe strategjive të shumë institucioneve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë vitit 2013, OSF-Budapest dhe tetë organizata partnere kombëtare në tetë vende të Evropës: Hungari, Shqipëri, Gjermani, Kroaci, Austri, Itali, Letoni dhe Rumani realizuan me sukses projektin me titull: “Mobilizimi i Veprimtarisë së Komunitetit: për Përfshirjen Qytetare, Kundër Varfërisë” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe OSI/OSF – Budapest (Instituti/Fondacioni Shoqëria e Hapur).  
Ky projekt synonte mbështetjen e organizatave me bazë në komunitet të fokusuara në fushën e arsimit për mobilizimin e komuniteteve të tyre dhe opinionit publik në trajtimin e çështjeve të margjinalizimit në arsim si edhe mbështetjen e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë.

Ky projekt u zbatua në vijim të Iniciativës së Organizatave Komunitare të Evropës për Mirëqënien Lokale, e cila është iniciuar nga Programi për Mbështetjen e Arsimit i OSF-Budapest në 2011. Ai u ofron qytetarëve evropianë, aktivë në fushën e arsimit dhe të përfshirjes sociale, mundësinë për të ndërvepruar mes tyre, me politikëbërësit dhe me organizata të shoqërisë civile në nivel lokal, kombëtar dhe evropian. Në nivel lokal ai ndjek një metodë gjithëpërfshirëse të bazuar në komunitet dhe përfshin një gamë të gjerë të organizatave komunitare për arsimin, të cilat punojnë drejt promovimit të faktorëve për zhvillimin lokal dhe rritjes së mirëqenies lokale përmes edukimit formal dhe joformal.


Në kuadër të këtij projekti u realizuan një sërë takimesh dhe aktivitetesh në nivel lokal dhe kombëtar me mësues,prindër, nxënës/studentë, drejtues shkollash, autoritete të arsimit, përfaqësues të pushtetit vendor, universiteteve, organizatave dhe Shoqërisë Civile, të cilët kanë gjeneruar mesazhe të vlefshme, sugjerime dhe rekomandime për aktorë të ndryshëm të fushës së arsimit si edhe politikëbërësit kombëtar dhe ndërkombëtar.


“Fëmijët Janë e Ardhmja” (FJA) ose “Children Are the Future” (CAF), e cila është një organizatë jo-fitimprurëse, për zhvillim, e fokusuar në fushën e arsimit, të drejtat e fëmijëve dhe zhvillimin e komunitetit me në qendër fëmijët, pati rolin e partnerit kombëtar për Shqipërinë. Si e tillë, ajo mbështeti dhe siguroi angazhimin dhe përkushtimin e 10 organizatave lokale si: “Në Familje Për Familjen”, CSDC-Durrës, “Partnerë për Integrim”, IRCA, “Partnerë për Fëmijët”, SPIRIT, “Derë e Hapur”, “Pema e Bashkëpunimit” dhe “Bashkëpunim për Sukses” në hartimin dhe zbatimin e tre mini-projekteve të partneritetit në 9 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në rrethet e Durrësit, Fierit, Elbasanit dhe Librazhdit. Me titujt: “Përfshirje dhe integrim, modele partneriteti drejt një shoqërie më pranë Evropës”, “Komunikim, dialog dhe veprim për kohezion social”, “Forcimi i bashkëpunimit shkollë-familje-komunitet për shkolla  dhe komunitete më gjitheperfshirëse”, këta projekte u fokusuan në çështje të ndryshme të margjinalizimit në arsim dhe forcimit të një arsimi gjithëpërfshirës.

Realizimi me sukses i të gjitha aktiviteteve të planifikuara të tilla si: takime dhe workshope ndërgjegjësuese, trainime, aktivitete psiko-sociale, panaire të traditave e kulturës, fushata kundër dhunës dhe përmirësimit të ambjentit, emisione televizive, debate dhe publikime pati një ndikim mjaft pozitiv në rritjen e ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve të përfshirë mbi rëndësinë e arsimit dhe një shoqërie gjithëpërfshirëse si edhe në përmirësimin e klimës në shkollë, rritjen e pjesëmarrjes aktive dhe integrimin e fëmijëve dhe familjeve në nevojë si edhe forcimin e bashkëpunimit midis mësuesve, nxënësve, prindërve dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit.

 
Copyright © 2017. CAF Albania. Build & Designed by Dapo Marketing

S5 Box