-
TË PUNOJMË SË BASHKU PËR NJË ARSIM MË TË MIRË DHE MË GJITHËPËRFSHIRËS PDF Print E-mail

 

Studimet shkencore dhe praktikat pozitive të viteve të fundit në shume vende të botës theksojnë se përfshirja e prindërve dhe bashkëpunimi i shkollës me familjet dhe komunitetin janë elementë kyç të suksesit në arsim. Si të tillë, ata zënë një vend mjaft të rëndësishëm edhe në ligjin e arsimit parauniversitar, por, pavarësisht nga kjo, niveli i përfshirjes së prindërve në shkollat tona dhe i bashkëpunimit të shkollës me familjet dhe komunitetin është ende mjaft i ulët. Për më tepër, ndërkohë që roli i strukturave përfaqësuese të prindërve dhe nxënësve brënda shkollës të tilla si: Këshilli i Prindërve, Qeveria e nxënësve dhe Bordi i Shkollës është të rrisin dhe të fuqizojnë zerin dhe pjesëmarrjen e prindërve, të nxënësve dhe të anëtarëve të tjerë të komunitetit, këto struktura janë ende shumë të dobta dhe në shumicën e rasteve janë thjesht formale.

Duke marrë në konsideratë këtë situatë dhe duke u bazuar në objektivat e programit tonë të arsimit për fuqizimin e bashkëpunimit dhe partneritetit shkollë-familje-komunitet si edhe në përvojën tonë pozitive në këtë drejtim, organizata Fëmijët Janë e Ardhmja (FJA) me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur është duke zbatuar  një projekt pilot në 9 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të rretheve Elbasan, Librazhd, Durrës dhe Mirditë, i cili synon rritjen e rolit aktiv të prindërve dhe të nxënësve në përmirësimin dhe demokratizimin e jetës së shkollës dhe krijimin e një shkolle më gjithëpërfshirëse.

Nëse në iniciativat e mëparshme, FJA është fokusuar tek rritja e kapacitetit të mësuesve dhe drejtuesve për hartimin dhe zbatimin e programeve të mirëfilltë të partneritetit shkollë, familje, komunitet, në këtë projekt ndërhyrja është përqëndruar tek prindërit dhe nxënësit, në mënyrë që të rrisim kapacitetin dhe rolin e tyre me anë të forcimit të strukturave të tyre vendimmarrëse, kryesisht Këshillave të Prindërve dhe Qeverive të Nxënësve.

Vizitat dhe takimet prezantuese si edhe workshopet ndërgjegjësues me mësues, drejtues, nxënës, prindër dhe  anëtarë të tjerë të komunitetit kanë rritur ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve për rëndësinë e përfshirjes aktive të prindërve dhe nxënësve në përmirësimin dhe demokratizimin e jetës së shkollës dhe forcimin e strukturave përfaqësuese të tyre. Një vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit të një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës e demokratik të Këshillave të Prindërve dhe Qeverive të Nxënësve për të zgjedhur prindërit dhe nxënësit më aktivë, të përgjegjshëm, të besueshëm dhe të përkushtuar që janë të aftë të prezantojnë nevojat interesat dhe aspiratat e çdo nxënësi dhe prindi për një arsim më të mirë dhe më gjithëpërfshirës. Pavarësisht nga sfidat dhe vështirësitë e hasura, ky proces ka sjellë ndryhime mjaft pozitive, ndonëse krijimi i një tradite në zhvillimin e zgjedhjeve demokratike të këtyre strukturave kërkon kohë dhe përkushtim nga të gjithë.

Për të rritur kapacitetin dhe rolin e strukturave të sapozgjedhura, Këshillat e Prindërve dhe Qeveritë e Nxënësve të 9 shkollave përkatëse u trainuan lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e tyre sipas ligjit të arsimit parauniversitar; teknikat efektive të komunikimit dhe bashkëpunimit; analizën e problemeve ekzistuese dhe prioritarizimin e nevojave si edhe hartimin e projekteve dhe planit të punës për secilën strukturë. Gjithashtu, të gjithë Këshillat e Prindërve dhe Qeveritë e nxënësve në 9 shkollat e projektit janë duke u mbështetur në aspektin teknik, material dhe financiar për të realizuar aktivitetet dhe  ndërhyrjet e tyre të përbashkëta në shkollë, gjë që do të ndikojë jo vetëm në procesin e advokimit dhe promovimit të tyre, por edhe në rritjen e rolit e bashkëpunimit midis tyre si edhe besimit e vlerësimit nga të gjithë prindërit, nxënësit, mësuesit, drejtuesit dhe anëtaret e tjerë të komunitetit.


 
Copyright © 2017. CAF Albania. Build & Designed by Dapo Marketing

S5 Box